RTSH Sport Live

Partizani bind, “tripletë” ndaj Bylisit

  • 11/04/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani bind, “tripletë” ndaj Bylisit
Të kuqtë triumfojnë në “Air Albania” përballë ballshiotëve me rezultatin 3-0  

Partizani ka bindur në “Air Albania” duke marrë një fitore të pastër, 3-0 përballë Bylisit, takim i vlefshëm për javën e 27-të të Kategorisë Superiore. Një gol që në start nga Junior, e më pas Asani e Çinari në pjesën e dytë, kompletuan tripletën e të kuqve, që mbajnë ritmin e një skuadre pretendente, vetëm dy pikë larg vendit të parë.

Sfida ka nisur menjëherë me gol për të besuarit e trajnerit Ilir Daja, që kanë përfituar nga një gabim i portierit të ballshiotëve dhe braziliani Junior nuk fal, 1-0. Dy minuta më vonë situate përsëritet, kësaj radhe në portën e Partizanit. Pas një gabimi të Bitrit, Beji i ka të gjitha mundësitë për të shënuar, por Alban Hoxha bën heroin duke shpëtuar të kuqtë nga një gol i sigurt.

Sfida vazhdon me një ritëm të kënaqshëm për të dyja skuadrat, me të kuqtë që kanë një marsh më shumë në ritmin e tyre, por rezultati i 45 minutave të para mbetet ai i sigluar që në minutën e parë, 1-0.

Edhe pjesa e dytë nis mjaft e vrullshme për skuadrën e Partizanit, që krijon shumë mundësi para portës ballshiote, por dyfishimi do të vijë vetëm në minutën e 69-të. Një aksion i rrjedhshëm i të kuqve, me Çinarin që bën gjithçka si duhet nga e majta e sulmit, duke nxjerrë në pozicion goditja Asanin, i cili nuk fal, 2-0.

Për të mbyllur një ndeshje ashtu si duhet, Çinari ka kompletuar paraqitjen e tij në minutën e 84-ët, me një goditje, që është devijuar nga mbrojtja, për të përfunduar në rrjetë, duke sigluar 3-0, që është dhe rezultati përfundimtarë i kësaj sfide.

Kështu të kuqtë janë ngjitur në kuotën e 47 pikëve, po aq sa Vllaznia, ndërsa vendi i parë mbahet nga Teuta me 49 pikë. Bylis mbetet në vendin e tetë me 26 pikë.  

KATEGORIA SUPERIORE/JAVA 27

Rezultatet

E shtunë

KASTRIOTI-KUKËSI 0-3

Golat: Eze 50’, 59’, Lulaj 72’

SKËNDERBEU-TIRANA 0-0

APOLONIA-TEUTA 0-2

Golat: L.Vila 20’, Bregu 55'

LAÇI-VLLAZNIA 0-0

E diel

PARTIZANI-BYLIS 3-0

Golat: Junior 1', Asani 69', Çinari 84'