RTSH Sport Live

Partizani, Daja: Apolonia? Nuk na lejohen gabimet

  • 02/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Daja: Apolonia? Nuk na lejohen gabimet
Partizani do të përballet me Apoloninë, të hënën në “Elbasan Arena”, ora 18:00

Partizani do të zbresë në “Elbasan Arena” të hënën, ora 18:00 ku kundërshtari i radhës do të jetë Apolonia, skuadra e vendit të fundit në klasifikim. Trajneri i të kuqve, Ilir Daja është paraqitur në konferencën për shtyp ku ka analizuar këtë sfidë të javës së 31-të të Kategorisë Superiore.

“Atmosfera në skuadër është mjaft e mirë, duke parë që edhe në ndeshjen e fundit kemi bërë një performancë shumë pozitive, duke llogaritur një gol të mohuar dhe një penallti të padhënë. Kemi bërë gjithçka mirë me Laçin për ta fituar atë takim. Nuk kemi problem dëmtimesh, me grupin është bashkuar dhe kapiteni Alban Hoxha. Besoj se i gjithë kontigjenti do jetë gati për ndeshjen me Apoloninë”.

Përballja me fierakët – “Në ndeshjen e fundit që kemi zhvilluar në Fier, kemi barazuar, por dhe në atë takim na është mohuar një gol i rregullt sipas specialistëve dhe pamjeve filmike. Kjo nuk ka të bëjë me faktin që në atë ndeshje ka qënë e paragjykuar, sepse shpejtësia e veprimit ka qënë shumë e madhe, por në futboll ndodh që çdo ekip, brenda apo jashtë, do të kërkojë të marrë atë që ka objektiv. Nesër nuk do të nisemi nga fakti që Apolonia na ka marrë pikë në ndeshjen e fundit. Do e vlerësojmë kundërshtarin maksimalisht, do kërkojmë të vazhdojmë me ecurinë pozitive, si me lojë ashtu dhe me rezultat, sepse tani nuk na lejohen gabimet”.

Përballja Vllaznia-Teuta – “Luajmë në të njëjtin orar, që do të thotë se nuk e kemi mendjen tek ndeshja që do të luhet në Shkodër. Duke qenë se ne si Partizan duam që futbolli të jetë korrekt dhe të fitojë më i miri, edhe unë në këtë linjë do të vazhdoj që nga kundërshtarët tanë të fitojë ai që jep më shumë në atë ndeshje, që të paktën të mos i mohohet ashtu sikurse na janë mohuar edhe  ne disa pikë gjatë zhvillimit të kampionatit”.

Në Laç shënuan Çinari e Zhunior – “Në vazhdimësinë e kampionatit jemi skuadra që kemi shënuar më shumë. Ajo që ka ndryshuar është se më përpara kemi patur një shpërndarje të golave, edhe në mesfushë e mbrojtje. Në këto katër javët e fundit, me rikthimin e Zhunior pas një dëmtimi, kemi bërë të mundur që treshja e sulmit të shfaqet më shumë para portës dhe na gëzon fakti që të tre sulmuesit kanë shënuar rregullisht”.

Largimi I Melos – “Si trajner i Partizanit më duhet të përshëndes kontributin që ka dhënë Melo, të paktën këtë vit që unë drejtoj Partizanin, pavarësisht problemeve që ka patur me dëmtimet. Sigurisht, çdo lojtar i Partizanit duhet të pranojë dhe verdiktin e stafit, sepse nuk mundet që çdo lojtar të ketë të garantuar formacionin dhe kjo ndoshta ka sjellë dhe ndarjen e parakohshme mes palëve. Ishte një vendim i tij dhe klubi dakortësoj këtë”.