RTSH Sport Live

Partizani, Daja “harron” derbin: Mendojmë vetëm për Skënderbeun

  • 07/05/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, Daja “harron” derbin: Mendojmë vetëm për Skënderbeun
Trajneri i të kuqve, Ilir Daja, ka analizuar ndeshjen me Skënderbeun, të shtunën, ora 19:00

Është momenti për të bërë llogaritë. Partizani, pasi ka siguruar kryesimin në javën e 31-të, nis misionin për objektivin final, titullin kampion. Gjithçka nis nga Korça, të shtunën përballë Skënderbeut, më pas është derbi me Tiranën, për të pasuar përplasjen me dy rivalët direkt: transferta me Teutën dhe përballja me Vllazninë, për të mbyllur sezonin në Ballsh. Gjithsesi, trajneri i të kuqve, Ilir Daja mendon vetëm për ndeshjen e radhës, atë me Skënderbeun, ku sipas tij nuk do të kursehet aspak, pavarësisht derbit në javën pasuese.

“Nuk ka më ndeshje të lehta. Kampionatit po i vjen fundi dhe pothuajse të gjitha ekipet kanë objektivat e tyre, si për pjesën e sipërme të klasifikimit, ashtu dhe për skuadrat që duan ti shpëtojnë rënies apo play out-it. Të gjitha skuadrat që përplasen mes tyre, besoj se kanë ndeshje të forta, sepse kanë mbetur dhe pesë javë. Në raport me Skënderbeun, kemi dy fitore dhe një humbje. Mendoj se korçarët po kalojnë një moment të mirë dhe këtë po e shikojmë të gjithë pasi kanë marrë pikë në çdo ndeshje, por besoj se ne gëzojmë formën më të mirë në krahasim nga të gjithë ekipet e tjera. Këtë e kemi treguar fuqishëm në këto javë të fundit, jo vetëm me lojë e rezultat, por dhe me golat e shënuar. Mendoj se do të jetë një ndeshje e luftuar. Do shkojmë në Korçë duke u treguar të kujdesshëm, por dhe duke luftuar për të marrë tri pikët”.

Të vetëm në kryesim – “Vërtet është hera e parë që pozicionohemi të vetëm në krye, por unë nuk e kam për herë të parë këtë. Janë edhe disa lojtarë që kanë dalë kampion me Partizanin, që do të thotë se kanë një llojë eksperience për të menaxhuar të tilla situata. Na vjen mirë që gjendemi në këtë pozicion, e kemi merituar për të qënë aty. Duhet të vazhdojmë dhe të fokusohemi te ndeshja me Skënderbeun, sepse nuk do na bënte mirë të mendonim për ndeshjet e tjera, sepse tani çdo ndeshje ka vlerën e tri pikëve dhe mbeten edhe pak për të shkuar drejt finalizimit të objektivit që kemi”.

Mungesat – “Mala dhe Bardhi janë dy mungesa të rëndësishme të formacionit tonë, për vet vlerat që ata kanë. Besoj se do e minimizojmë mungesën e tyre me lojtarët që kemi në dispozicion. Ajo që ndoshta nuk është pozitive në këtë moment, nuk është fakti se kush do e fillojë ndeshjen nga minuta e parë, por që do të kemi pak alternative në stol, për të kryer zëvendësime në pozicione natyrale, jo në vlera”.

Pas Skënderbeut vjen derbi – “Unë e di që pas Skënderbeut nuk kam ndeshje, që do të thotë se nuk do të kursejmë dhe nuk do të mendojmë për gjë tjetër. Do të fokusohemi me të gjitha energjitë psiko-fizike vetëm te ndeshja e nesërme me Skënderbeun”.

Për vazhdimësinë – “Patjetër që vazhdimësia me marrjen e tri pikëve, duke u shoqëruar dhe me lojën e mirë, pavarësisht se në këtë fund kampionati, kryesorja është arritja e rezultatit. Do të thoja se do vazhdonte një anë psikologjike goxha e mirë për katër ndeshjet e mbetura. Duhet të tregohemi gjithë kohës të vëmendshëm për të marrë tri pikët në Korçë. Presioni nuk është vetëm te Partizani, por është edhe te Skënderbeu, për vetë situatën në tabelë, u duhen pikët, që do të thotë se shpërndarja e presionit është e barabartë. Mendoj se kemi potencialin e duhur për të përballuar këtë llojë presioni”.