RTSH Sport Live

Partizani, në krahët e brezit të ri

  • 05/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Partizani, në krahët e brezit të ri
Cara dhe Rrapaj me 41 vite në total, por shkëlqejnë në skuadrën e kuqe

Është vetëm 21 vjeç dhe deri në këtë pikë të sezonit ka shënuar 5 gola. Është ndoshta, Tedi Cara ai heroi i vërtetë i Partizanit që më në fund duket se ka gjetur një sulmues me peshë për të marrë përsipër trashëgiminë e njeriut gol në skuadrën e kuqe e cila ka vuajtur jo pak në pjesën e parë të sezonit. Xhiroja e dytë e Superiores rikthen 16 herë kampionët në vitrinën e  të fortëve të futbollit shqiptar. Me dy fitore rresht, për më tepër të siguruara me shumë vuajtje e sakrificë, tregojnë forcën e brendshme që ka grupi.

Ilir Daja nuk është lëkundur për asnjë moment ndërsa klubi ka bërë pikërisht atë që bëjnë shumë pak klube në Europë duke ngjitur në bankën e të akuzuarve lojtarët por asnjëherë trajnerin, duke i hequr skuadrës një alibi që në shumë raste është e rreme. 2 fitore rresht ku sulmuesi i kombëtares shpresa ka lënë gjurmët e tij, fillimisht me atë gol në frymën e fundit ndaj Teutës dhe në “Arenën Kombëtare” kundër Skënderbeut.

6 pikë të plota, jo keq për një të ri të rritur në Kavajë që shkallët e karrierës po i ngjit gradualisht dhe me shumë durim. Trajneri kryeqytetas i krijoi këtë sezon hapësirat që ai ka dashur përherë dhe Cara po ia shpërblen në mënyrën më të mirë të mundshme duke barazuar rekordin e vitit të kaluar ku shënoi po kaq gola por pas 4 fazave të plota. Tre realizimet e tjera, 21-vjeçari i ka sigluar në barazimet 1-1 që Partizani ka arritur ndaj Lacit, Egnatias dhe Kukësit.

Në total, Cara ka siguruar 9 pikë për të kuqtë që momentalisht janë në kuotën 15, po aq sa Laçi. Një tjetër sinjal optimizmi vjen edhe nga mesfusha ku zbulimi i sezonit mund të konsiderohet pa frikë 20-vjeçari, Arinaldo Rrapaj. I transferuar në verë nga Korça por i rritur në akademinë e Flamurtarit, lojtari shënoi një gol që rrallë herë e regjistrojmë në statistikat e Superiores. 160 apo 170 km/h në orë, një gol i çmendur ai ndaj ish skuadrës së tij.

Me siguri për këtë rrjetë do të flitet gjatë por më gjatë ndoshta do të flitet edhe për talentin e mesfushës së të kuqve që ka rrëmbyer një vend titullari pasi ka karakteristikat që Dajës i pëlqejnë. Teknik, i fiortë fizikisht dhe i orientuar drejt sulmit. Rrapaj numëron 3 gola këtë sezon duke vendosur rekord pas rekordi pasi asnjëherë më parë me një fanellë tjetër nuk kishte arritur ta prekte rrjetën dhe sot ai është ushtari i parë në barrikadën e mesfushës së ngritur nga Ilir Daja.