RTSH Sport Live

Partizani, një derbi që vlen kualifikimin

  • 10/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Partizani, një derbi që vlen kualifikimin
Mposht Dinamon 1-0 dhe siguron vendin në gjysmëfinale të Kupës

Derbi tjetër i kryeqytetit, midis Partizanit dhe Dinamos, i cili ishte i vlefshëm për takimin e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, u luajt të enjten në mbrëmje në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet. Takimi i parë, i luajtur dy javë më parë, në fushën e bluve kryeqytetas ishte mbyllur në barazim 1-1, por ai i kthimit ka folur për të kuqtë në pjesën e parë, të cilët i afrohen portës kundërshtare dy herë me anë të Malës dhe një herë me anë të Carës.

Do të duhet të kalojnë 33 minuta lojë që Dinamo të provojë të rrezikojë, por goditja e Denisonit pritet pa problem nga portieri i Partizanit, Hoxha. Dhe ndonëse dinamovitët do të rrezikojnë edhe në minutën e 42-të, pas një goditjeje të lirë, të zmbrapsur nga mbrojtja e të kuqve, do të jetë një ish-dinamovit që do të ndëshkojë skuadrën e tij. Skuka, i ardhur nga Dinamo tek Partizani në merkaton e dimrit, depërton me shpejtësi në qendër, gjen hapësirën për të majtën e tij dhe mposht Harizajn në minutën e parafundit të pjesës së parë.

Përtej dy minutave shtesë, kjo pjesë e parë mbyllet me epërsinë minimale të Partizanit. Pjesa e dytë ka parë një lojë të hapur, me Dinamon që nuk ka më se ç’të humbasë dhe me Partizanin që synon të gjejë golin e dytë, që do të vuloste kualifikimin. Dhe rastet nuk kanë munguar në një 45 minutësh të dytë të ethshëm, ku loja është zhvendosur sa nga njëra portë, ashtu edhe në tjetrën.

Por herë për mungesë saktësie në finalizim, herë për nxitim dhe shpeshherë për meritë të gardianëve të portave përkatëse, Hoxhës dhe Harizajt, pjesa e dytë nuk do të sjellë gola të tjerë dhe Partizani e mund 1-0 Dinamon dhe siguron vendin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.