RTSH Sport Live

Sezoni “atipik” i mbijetesës

  • 24/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Sezoni “atipik” i mbijetesës
Ndryshe nga vitet e fundit, skuadrat debutuese rrezikojnë më pak

Përveç sezonit atipik 2019-2020 ku Luftëtari dhe Flamurtari u rrëzuan në të parën, gjatë dekadës së fundit, në asnjë rast të dyja ekipet e ngjitura nga e para në Superiore, nuk kanë rezistuar që të dyja në elitën e futbollt shqiptar. Rruga e kthimit ka qenë pothuajse e njëjtë pas një sezoni për Apoloninë, Korabin, Lushnjen apo Tërbunin, që për më tepër nuk kanë bërë as rezistencë duke e kompromentuar në njëfarë mënyrë kampionatin me rezultatet e dobëta.

 Ndryshe nga sezonet e fundit, 2021-2022-shi duket se nuk është një skenar i shkruar në luftën e mbijetesës. Dinamo dhe Egnatia, dy skuadrat që kanë fituar të drejtën për t’u ngjitur në Superiore, kanë bërë investime domethënëse dhe për më tepër të studiuara mirë. Dy skuadrat në fjalë janë armatosur deri në dhëmbë për të mos treguar inferioritet me asnjë skuadër tjetër në garë.

Sipas trendit aktual, do të jetë shumë e vështirë që nëndetësja apo edhe rrogozhinasit të humbasin terren në tre fazat e tjera me mundësi më të madha për të synuar Europën dhe jo për të luftuar në fundin e ftohtë të mbijetesës. Ky skenar e bën të pazakontë këtë sezon pasi automatikisht më të rrezikuara janë 4 apo 5 skuadrat e tjera të Superiores.

Në radhën e parë qëndron Kastrioti, dukshëm më pak i organizuar se skuadra e Maganit apo ajo e Shkëmbit, ndërsa në vallen e rrezikshme janë futur edhe Skënderbeu apo Partizani. Në këtë mënyrë, mbijetesa nuk duhet marrë si e mirëqënë, ky sezon deri diku anormal krahasuar me trendin normal të Superiores, premton surpriza jo shumë të këndshme.