RTSH Sport Live

Shkëlqim Muça: Fitore taktike e Partizanit, Teuta e Laçi në formë. Vllaznia la dy pikë

  • 21/02/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Shkëlqim Muça: Fitore taktike e Partizanit, Teuta e Laçi në formë. Vllaznia la dy pikë
Një analizë e javës së 20-të e Kategorisë Superiore në Rubrika Sportive, RTSH

Shkëlqim Muça në të gjithë fushën, në analizën e radhës në studion e “Rubrika Sportive” në RTSH. Barazimi i Vllaznisë, fitorja e Partizanit, gjithçka që lidhet me javën e 20-të të Kategorisë Superiore.

KUKËSI-PARTIZANI 1-2: Triumfi i kuq –  “Ishte një ndeshje shumë taktike, mes dy skuadrave që kanë shumë cilësi. Daja kishte menduar të sulmonte me mbrojtës dhe e vuri në vështirësi kundërshtarin. Partizani ishte më mirë taktikisht. Në pjesën e dytë lojtarët e kuq punuan shumë mirë, Me përjashtim të Cardozo, që mund të them se e kanë për numër. Fair Play i treguar nga Partizani, veprimi i duhur në një situatë të tillë".

SKËNDERBEU-VLLAZNIA 1-1: Hap i gabuar kuqeblu – “Vllaznia bëri 45 minuta të dobta, mund ta kishte pësuar akoma më keq. Por më pas reagoi, e dominoi lojën, mund të kishte shënuar më shumë. Mund të them se la dy pikë, jo fitoi një pikë. Edhe terreni ndikoi, problem më shumë për lojën e Vllaznisë se sa të Skënderbeut. Korçarët, pas shënimit të golit u munduan të administrojnë rezultatin, por mendoj se duhet të kishin guxuar më shumë pasi pësuan gol. U duhen pikët, sidomos në ndeshjet brenda duhet të kërkojnë më shumë”.

TIRANA-TEUTA 0-1: Rritja e skuadrës durrsake - “Teuta tregoi se është drejt një rruge që e ka synuar që në fillim, pavarësisht oshilacioneve. Lojtarët sa vijnë dhe po harmonizohen me njëri tjetrin. Lojtarët e Tiranës dalin ashtu siç hyjnë, luajnë vetëm kur u vjen topi, nuk tregojnë agresivitet. Kjo u pa dhe në momentin e shënimit të golit nga ana e skuadrës durrsake”.

LAÇI-KASTRIOTI 1-0: Besimi kurbinas - “Laçi luan lirshëm, ka besim, loja shkon mirë, lojtarët kanë filluar të gjejnë njëri tjetrin.Është një skuadër që luan shumë mirë në mesfushë, pa harruar që ka dhe alternativa. Unë mendoj se këtë kampionat do e vendosin ndeshjet direkte pikërisht mes këtyre skuadrave, Laçit, Teutës, Partizanit…”.