RTSH Sport Live

Stadiumi i Kukësit nuk është gati, sfida me Dinamon në “Elbasan Arena”

  • 15/01/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Stadiumi i Kukësit nuk është gati, sfida me Dinamon në “Elbasan Arena”
FSHF ka njoftuar se sfida mes Kukësit dhe Dinamos do të luhet të mërkurën në “Elbasan Arena”

Skuadra e Kukësit nuk mund të inagurojë stadiumin e ri që në ndeshjen me Dinamon, e planifikuar për tu luajtur të mërkurën. Një lajm i tillë është bërë i ditur nga FSHF, e cila ka njoftuar se stadium i ri nuk është akoma gati dhe sfida do të luhet në “Elbasan Arena”.

Inspektimet më të fundit në stadiumin e ri, që janë bërë ditën e  premte, kanë konstatuar se fusha nuk është akoma gati për të pritur skuadrat në datën që ishte planifikuar. Kështu, skuadra e Kukësit duhet të presë akoma për të inaguruar shtëpinë e re.

Njoftimi i FSHF-së:

Departamenti i Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit dëshiron t’ju informojë se ndeshja e javës së 16-të të Abissnet Superiore, Kukësi-Dinamo, do të zhvillohet ditën e mërkurë, në orën 16:45, në “Elbasan Arena”.

Kjo përballje do të jetë e fundit për javën e 16-të e cila i luan 4 ndeshjet e tjera ditën e shtunë dhe të dielë.

Kukësi vazhdon të luajë si udhëtues duke mos pasur ende mundësi për të luajtur në stadiumin e ri që është ndërtuar. Fusha e “Kukësi Arena” është inspektuar nga Kostas Poulios, eksperti i firmës së specializuar për fushat “Hellasod”.

Pas inspektimit të zhvilluar ditën e premte, është marrë vendimi se fusha nuk është ende gati dhe nuk do të rrezikohet në përdorimin e saj për shkak të motit të ftohtë dhe ngricave që kanë pamundësuar lëshimin e rrënjëve të tapetit.