RTSH Sport Live

Statistikat: City nuk fal në fortesën “Etihad”, Reali synon të thyejë mallkimin

  • 16/04/2024
  • |
  • Futboll Bota
Statistikat: City nuk fal në fortesën “Etihad”, Reali synon të thyejë mallkimin

Supersfida Manchester City-Real Madrid do të vijë drejtpërdrejt dhe pa pagesë në Radio Televizionin Shqiptar të mërkurën në mbrëmje. Ndeshja e parë në Madrid dhuroi spektakël dhe një tjetër natë magjike pritet nesër në “Etihad”, aty ku do të vendoset se kush nga dy skuadrat do të kualifikohet në gjysmëfinalen e Champions League.

Statistikat e Manchester City kundër skuadrave spanjolle

City është përballur me kundërshtarët spanjollë këtë sezon edhe përpara Realit, duke mundur Sevillan 5-4 me penallti pas barazimit 1-1 në Superkupën e UEFA-s në Pire.

City ka fituar gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër klubeve spanjolle dhe është i pamposhtur në tetë takime (7 fitore dhe 1 barazim), që nga humbja 2-1 kundër Barcelonës në ndeshjen e parë të raundit të 1/8-ve të finales të Ligës së Kampionëve në sezonin 2014/15. Rekordi i tyre i përgjithshëm në shtëpi ndaj skuadrave spanjolle është 9 fitore, 3 barazimi dhe 2 humbje, të dyja kundër Barcelonës.

Humbja në ndeshjen e dytë në Madrid në gjysmëfinalet e sezonit 2021/22 është humbja e vetme e Cityt në 13 ndeshjet e fundit kundër skuadrave spanjolle.

Statistikat e Realit të Madridit kundër skuadrave angleze

Rezultatet e Realit të Madridit në ndeshjet me eliminim direkt kundër klubeve angleze janë 13 fitore dhe 7 humbje. Por duhet theksuar se tre eliminimet e fundit nga Liga e Kampionëve kanë ardhur të gjitha nga kundërshtarët e Premier League - Chelsea në gjysmëfinalet e sezonit 2020/21 dhe City në sezonin 2019/20 dhe gjysmëfinalet e sezonit 2022/23.

Përfshirë finalen e sezonit 2021/22, kjo është hera e nëntë që Reali i Madridi përballet me kundërshtarët anglezë në 11 ndeshjet e tyre të fundit me eliminim direkt në Champions League, dhe e shtata në tetë të fundit.