Vllaznia fiton pastër 4-0 në Korçë përballë Skënderbeut. protagonisti absolut i sfidës për shkodranët ka qenë kapiteni Bekim Balaj, që ka shënuar një tregolësh, ndërsa rrugën e rrjetës e ka gjetur edhe Esat Mala.
Shkodranët fitojnë një penallti në mesin e pjesës së parë, që shndërrohet në gol nga Bekim Balaj. Me fillimin e pjesës së dytë është sërish kapiteni i kuqebluve që shënon golin e dytë personal në këtë takim.
Pak minuta më vonën Balaj shënon sërish, por goli anulohet pas verifikimit në VAR, për shkak se Stojanovic është në pozicion jashtë loje. Vllaznia luan më mirë dhe gjen golin me Esat Malën, që hipnotizon mbrojtjen korçare.
Në fund të takimit, Balaj shënon golin e tretë personal dhe të katërtin për Vllazninë në këtë takim, duke vulosur përfundimisht fatin e kësaj sfide. Pas këtij suksesi Vllaznia ngjitet në kuotën e 37 pikëve, ndërsa Skënderbeu mbetet në vendin e fundit në klasifikim me 16 pikë.