RTSH Sport Live

Superiorja, aty ku goli nuk flet “shqip”

  • 30/11/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja, aty ku goli nuk flet “shqip”
Vetëm 3 nga 15 shënuesit më të mirë pas 10 javësh kanë pasaportë shqiptare

Ky sezon i nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Kategorisë Superiore, është karakterizuar nga rivaliteti, teksa skuadrat i kanë marrë pikë njëra-tjetrës dhe Tirana kryesuese ka grumbulluar 21 pikë nga 30 të mundshme në këto 10 javë të para, ndërsa 10 pikë i ndajnë skuadrat nga vendi i parë në atë të 8-tin. Përkatësisht edhe numri i golave të shënuar ka lënë për të dëshiruar dhe shënuesi më i mirë pas këtyre 10 javëve të para është sulmuesi i Kukësit, Edi Basha, me 6 gola, i ndjekur nga dy shqiptarët e lindur në Maqedoninë e Veriut, Agim Ibraimi i Dinamos dhe Taulant Seferi i Tiranës.

Përtej këtij fakti, sa u përket pasaportave, goli në Superiore flet shumë pak shqip. Duke i hedhur një vështrim të shpejtë listës së 15 shënuesve më të mirë, vetëm 5 prej tyre janë shqipfolës, por vetëm 3 prej tyre kanë pasaportë shqiptare. Taulant Seferi, që ndan vendin dytë dhe të 3-të me Ibraimin, me nga 5 gola, ka lindur në Kumanovë, por mban pasaportë shqiptare dhe ka luajtur me përfaqësuesen kuqezi.

Ndërsa Ibraimi, i lindur në Tetovë, ka pasaportën e Maqedonisë së Veriut, me përfaqësuesen e së cilës edhe ka luajtur. Në vendin e 6-të gjendet Tedi Cara i Partizanit, ndërsa në të 9-tin Redon Xhixha i Tiranës, me të dy futbollistët shqiptarë që kanë realizuar nga 4 gola secili, ndërsa shqipfolësi tjetër, por që mban pasaportën gjermane, është Vesel Limaj i Tiranës, që ka realizuar 3 gola.

Interesant është fakti që përveç 3 prej shënuesve më të mirë në 15-shen e parë të Superiores që janë shqiptar, po aq janë brazilianë e po aq janë afrikanë, ndërsa dy të tjerë janë kroatë. Listën e plotëson Maqedonia e Veriut, Mali i Zi Serbia dhe Gjermania. Ndërkaq, Ibraimi, Seferi dhe Cara janë shënuesit më të mirë të pjesëve të para, kurse “mbreti i 11-metërshve” është Stenio Zhunjor i Partizanit, që të 3 golat e tij i ka realizuar nga pika e bardhë, i ndjekur nga Ibraimi me dy.

 

Golashënuesit më të mirë pas 10 ndeshjeve

     Nr.     Lojtari                   Klubi                  Gola                       11-m.              Pj. e parë

  1. E. Basha                     Kukësi                   6                              0                      2
  2. A. Ibraimi                   Dinamo                5                              2                      4
  3. T. Seferi                      Tirana                   5                              1                      4
  4. A. Aralica                   Vllaznia                 4                              0                      1
  5. Pedro Augusto          Egnatia                 4                              1                      3
  6. T. Cara                       Partizani               4                              0                      4
  7. Viktor Da Silva          Vllaznia                 4                              0                      3
  8. L. Milunović              Kukësi                   4                              0                      2
  9. R. Xhixha                   Tirana                   4                              0                      2
  10. D. Zarubica                Laçi                      4                              0                       2
  11. S. Çinedu                   Dinamo               3                              0                       2
  12. Stênio Zhúnior          Partizani              3                              3                       3
  13. S. Guindo                  Laçi                      3                              1                       1
  14. V. Limaj                      Tirana                 3                              1                        1
  15. A. Mensah                 Skënderbeu        3                              0                       1