RTSH Sport Live

Superiorja: java e fundit, sa shumë të panjohura

  • 28/05/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja: java e fundit, sa shumë të panjohura
Të gjitha ndeshjet do të luhen ditën e hënë duke nisur nga ora 16:00

Java e fundit e Kategorisë Superiore do të luhet e gjitha të hënën për të mbyllur kështu një sezon të gjatë, të lodhshëm dhe të shoqëruar madje me polemika. Ngjitja e Partizanit në krye dhe zbritja e Tiranës në vendin e dytë vijon me 90 minutat e fundit për të dyja skuadrat që vijnë në këtë stacion në pozicione diametralisht të kundërta. Bardheblutë do të duelojnë me Erzenin në Durrës. Sfidë ku nuk do të kenë në dispozicion të paktën 5 titullarë ndërsa moralisht kampionët udhëtojnë të sfilitur pas atij barazimi me Bylisin që prodhoi shumë polemika, dhunë në fushë dhe më pas dënimin e paprecedentë për një pjesë të madhe të skuadrës.

Në rast të suksesit të Partizanit me Teutën as fitorja nuk do të mjafonte për bardheblutë ndërsa në krahun tjetër shijakasit rrezikojnë shumë nëse nuk e fitojnë këtë sfidë. Paralelisht do të luhet në Tiranë ku Partizani pret Teutën dhe titulli është tërësisht në këmbët e të besuarve të Colellas që me një fitore hipotekojnë të 17-in ndërsa në një skenar të tillë Teuta mbetet jashtë Europës nëse Laçi apo Vllaznia fitojnë.

Shkodranët vizitojnë Ballshin me Bylisin që kërkon mbijetesën pasi ndodhet dy pikë larg zonës play out. Do të luhet edhe në Laç, me kurbinasit që sfidojnë Kastriotin tashmë të rrëzuar dhe shpresojnë gjithashtu në vendin e katërt, ndërsa Kukësi viziton Rrogozhinën për të hipotekuar çështjen mbijetesë.