RTSH Sport Live

Superiorja, “kryqëzime” të rrezikshme në dy ditë

  • 02/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja, “kryqëzime” të rrezikshme në dy ditë
Java e 11 e Kategorisë Superiore starton me dy sfida shumë të ekuilibruara të premten, ndërsa të shtunën vendosen përballë skuadra me objektiva tërësisht të ndryshëm

Një tjetër raund, të tjera pritshmëri. Java e 11 e Kategorisë Superiore starton me dy sfida shumë të ekuilibruara të premten ndërsa të shtunën vendosen përballë skuadra me objektiva tërësisht të ndryshëm. Laçi-Dinamo dhe Teuta-Vllaznia do të zbresin në fushë në dy duelet e para që do të luhen respektivisht në Kurbin dhe Elbasan. Skuadra e Mirel Josës që vjen pas një disfate të hidhur në Shkodër, pret Dinamon që doli në sipërfaqe fundjavën e kaluar edhe pse vazhdon të hasë shumë vështirësi.

Përballje që në letër projektohet shumë e ekuilibruar por mbetet shumë e rëndësishme edhe në optikën europiane pasi ky është objektivi i vërtetë i dy klubeve. Shkëmbi po has vështrësi të mëdha për të gjetur modulin dhe njerezite duhur ndërsa përballë tij, trajneri me të cilin ka punuar në Korçë, Mirel Josa, ka shumë për të humbur pasi një tjetër hap fals mund ta shkëpusë skuadrën bardhezi nga gara e zonës së sipërme të klasifikimit.

Po të premten por në orën 16:45 starton në Elbasan sfida mes kampionëve dhe nënkampionëve. Teuta me një trajner të ri, përballë Vllaznisë që vjen pas dy fitoreve rresht. Humor i ndryshëm në dy kampet respektive. Teuta synon ta përdorë këtë 90 minutësh si ilaç për të shëruar plagët e 10 javëve të para, ndërsa shkodranët për të ruajtur hapin e kryesueseve që të shtunën udhëtojnë drejt Rrogizhinës.

Egnatia tashmë pa Maganin në stol do të sfidojë bardheblutë në shtëpinë e saj me shpresën për ta gjetur skuadrën e Shehit në një tjetër ditë jo. Barazimi i fazës së parë flet shumë për shkallën e vështirësisë së kësaj sfide ku Tirana do të kërkojë fitoren pas 2 ndeshjeve pa sukses. Po në orën 13:45, Kukësi  që tashmë është vetëm 1 pikë larg bardhebluve, viziton fushën e Kastriotit në Kamëz.

Skuadra e Longos në shëndet të plotë ka shansin e artë për t’u konfirmuar pretendente dhe ndaj skuadrës së fundit në klasifikim, misioni mund të bëhet më i lehtë. Nga Kamza në Tiranë, Partizani ka zgjedhur Arenën Kombëtare për ndeshjen e fundit të kësaj jave kundër Skënderbeut.

Të kuqtë prej tre ndeshjesh pa humbje dhe për më tepër me një sukses të freskët, duket se kanë kthyer faqe por Skënderbeu mbetet një skuadër me luhatje të mëdha dhe e aftë për të shkaktuar dëme të mëdha edhe tek pretendentët dhe këtë e ka treguar ndaj Kukësit, Tiranës, Teutës apo Vllaznisë.