RTSH Sport Live

Superiorja, një javë e parë e “VAR”-ur

  • 13/09/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja, një javë e parë e “VAR”-ur
Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos mirëpritet në debutimin e tij në futbollin shqiptar

Ndonëse në veprimtaritë madhore është shndërruar prej disa vitesh në një standard normal, ashtu sikundër edhe në shumicën dërrmuese të kampionateve të vendeve të Evropës dhe më gjerë, Sistemi i Ndihmësgjyqtarit të Videos, i njohur shkurt si “VAR”, ka debutuar këtë sezon edhe në nivelin më të lartë të Kampionatit të Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore. Dhe pasi ishte futur zyrtarisht në duelin e Superkupës së Shqipërisë, ky sistem ka debutuar me ngarkesë të plotë në javën e parë të Superiores. Kështu, në takimin hapës të së premtes, VAR-i akordoi një 11-metërsh në pjesën e dytë, që u shkua dëm nga futbollisti brazilian i Partizanit, Zhunjor.

Ndërkaq, të shtunën, ndeshja midis Tiranës dhe Skënderbeut është gjykuar nga treshja e FIFA-s Jorgji, Rexha e Avdo. Gjyqtarin e FIFA-s këtë herë e ndihmoi VAR-i, sepse elbasanasi akordoi fillimisht një 11-metërsh që, më pas, pas konsultimit me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos, rezultoi që nuk qëndronte. Kryesori u tregua shumë i rreptë me kartonët dhe nuk toleroi në asnjë moment askënd, korrektësi që solli përjashtimin e Zguros pas dy kartonëve të verdhë. Në minutën e 68-të pati edhe një pretendim për 11-metërsh nga Skënderbeu, por që nuk u diskutua nga gjyqtari dhe VAR-i.

Takimi tjetër i së shtunës, Laçi-Vllaznia, prodhoi plot 8 gola dhe u gjykua nga Kreshnik Cjapi si kryesor, ndërsa në dhomën e VAR-it ishte Juxhin Xhaja dhe Ani Koçiaj. Në minutën e 7-të, Hakaj u pengua në zonën e Laçit nga Ignjatoviç, por Cjapi sinjalizoi vazhdimin e lojës duke mos akorduar direkt 11-metërsh. Më pas, i sinjalizuar nga VAR-i, gjyqtari fierak mori kohë dhe shkoi vetë për të konfirmuar rastin përmes pamjeve filmike. Pas tre minutave ndërprerje, ai vendosi të japë 11-metërsh për Vllazninë. Ndërkohë, po përgjatë 90 minutave në Laç pati edhe një moment të diskutueshëm, kur Da Silva pretendoi për faull të Roganoviçit, por Cjapi nuk e akordoi dhe në vijimin e aksionit Zarubica shënoi. Ky moment në minutën e 34-t u konsiderua i rregullt.

Dy takimet e fundit u luajtën të dielën dhe dueli Kastrioti-Dinamo u gjykua nga një treshe nga kryeqyteti me kryesor Kridens Metën, ndërsa në dhomën e Sistemit të ndihmësgjyqtarit të videos ishin Enea Jorgji dhe Arbër Zalla. Ndërhyrja e VAR-it e shpëtoi gjyqtarin anësor, Koçiaj, që tek goli i dytë i Dinamos sinjalizoi për pozicion jashtë loje, gabim i cili u korrigjua më pas. Janë edhe dy raste të tjera të diskutueshme në pjesën e parë, por as kryesori Meta e as salla e VAR-it nuk ndërhyjnë.

Ndërkohë, ka qenë thuajse e përkryer fitorja 3-1 që Kukësi arriti në Stadiumin e ri të Rrogozhinës, ndaj Egnatias vendase, pasi për asnjë çast nuk është dashur ndërhyrja e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos. Përtej gjithçkaje, futja në përdorim e VAR-it është përshëndetur nga të gjithë trajnerët e skuadrave të Kategorisë Superiore.