RTSH Sport Live

Superiorja zbret në fushë, Egnatia-Tirana në RTSH

  • 06/02/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Superiorja zbret në fushë, Egnatia-Tirana në RTSH
Java e 20-të e “Abissnet Superiore” do të luhet në dy ditë

“Abissnet Superiore” rikthehet në fushën e lojës me javën e 20-të e cila do të luhet në dy ditë, të hënën dhe të martën. Gjatë ditë së sotme do të ngjiten në skenë dy sfida, me katër skuadra të cilat luajnë për titullin dhe Europën.

Në sfidën e orës 13:00, atë mes Erzenit dhe Tiranës, e cila do të vijë për shikuesit në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, rrogozhinasit e kanë të qartë se vetëm fitorja i mban në rrugën e duhur për një vend në Kupat e Europës. Nga ana tjetër, bardheblutë, pas humbjes të një jave më parë me Kukësin, nuk mund të gabojnë përsëri nëse duan të mbajnë vendin e parë.

Sfida tjetër e ditës së hënë është ajo mes Partizanit dhe Laçit, në orën 19:00, që do të luhet në kompleksin e të kuqve. Formacioni i trajnerit Kolela nuk njeh fitore në katër ndeshjet e fundit(2 barazime dhe 2 humbje). Një tjetër disfatë do të ndërlikonte arritjen e objektivit, rrugën drejt titullit. Kurbinasit nga ana e tyre janë rikthyer në rrugën e duhur dhe pretendimet janë për një vend në Europë.

Java e 20-të e Superiores do të vijojë të martën me tri ndeshjet e tjera. Kastrioti i vendit të fundit do të presë Erzenin e vendit të tretë në orën 13:00, një sfidë ekstremesh. Në orën 16:00 do të takohen Teuta dhe Bylisi, dy skuadra që kërkojnë të largohen nga zona e ftohtë, me ballshiotët në vendin e 7-të, me dy pikë më shumë se formacioni I bregdetarëve, që ndodhet në vendin e 9-të.

Në orën 19:00, në “Loro Boriçi”, Vllaznia e vendit të katërt do të presë Kukësin e rilindur pas dy sukseseve të fundit dhe ndryshimeve të shumta në përbërje. Kuqeblutë vijnë pas humbjes me Erzenin në javën e kaluar, ndërsa verilindorët pasi kanë mundur Tiranën në “Kukës Arena”.