RTSH Sport Live

Superkupa e Europës, Ançeloti nuk ndryshon formacion

  • 10/08/2022
  • |
  • Futboll Bota
Superkupa e Europës, Ançeloti nuk ndryshon formacion
Trajneri i Realit të Madridit rikthen ndaj Eintrahtit të Frankfurtit skuadrën që luajti me Liverpulin

Superkupa e Evropës, që është përballja tradicionale që ngre siparin e futbollit kontinental të klubeve, vë përballë njëra-tjetrën Realin e Madridit dhe Eintrahtin e Frankfurtit. Ajo për të cilën trrajneri Karlo Ançeloti ka qenë i qartë është se, nëse do ta lejojë forma fizike, ai do të përpiqet fort që të shpërblejë 11-shen bazë që nisi dhe siguroi triumfin në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Liverpulit. Po kështu, ai ka kërkuar nga të gjitha ata që do ta nisin ndeshjen e sotme nga stoli që ta trajtojnë këtë ritakim historik me skuadrën gjermane me maksimumin e seriozitetit. “A ishte sezoni i shkuar më i mrekullueshmi në karrierën time? Mbase edhe po”,  ka deklaruar trajneri italian i stolit të madrilëve duke folur në prag të përballjes së të mërkurës në Superkupën e Evropës.

“Nuk kisha drejtuar kurrë një skuadër që të triumfonte si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve - theksoi ai, duke shtuar: “Por gjithçka ka të bëjë me shpirtin, mendësinë, cilësinë dhe entuziazmin e lojtarëve të mi që ne arritëm të vijmë në këtë sfidë prestigjioze duke fituar Ligën e Kampioneve".

Kurse sulmuesi i 14-herë kampionëve të Europës, Karim Benzema, deklaroi: “Ne kemi një finale të mërkurën dhe synimi ynë i vetëm është ta fitojmë atë. Në fakt, nuk ka synim tjetër kur luan për Realin e Madridit dhe çka e bën këtë të veçantë, është se, që të vish këtu, duhet të fitosh Ligën e Kampioneve. Tanimë, detyra jonë e vetme është të vazhdojmë të fitojmë”, ka përfunduar ai.