RTSH Sport Live

Teuta e Vllaznia, sa shumë mundim për një pikë

  • 03/12/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Teuta e Vllaznia, sa shumë mundim për një pikë
 Durrsakët kalojnë të parët në epërsi, por shkodranët nuk dorëzohen, edhe pse me 10 lojtarë

Takimi midis Teutës dhe Vllaznisë, ka qenë ndeshja e dytë e javës së 11-të të Kategorisë Superiore, që është luajtur të premten. Në fakt, para nisjes së ndeshjes, të dy skuadrat e kanë kryer në errësirën e muzgut nxemjen, teksa mësohet se drejtuesit e Stadiumit “Elbasan Arena” kanë harruar të ndezin ndriçimin artificial në stadium në momentin e duhur. Vetëm tërheqja e vëmendjes nga ana e drejtorit të Vllaznisë, Matko Djarmati, ka bërë që drejtuesit e stadiumit të aktivizojnë ndriçimin artificial dhe që gjithçka t’i kthehej normalitetit në impiant.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë kryesisht e baraspeshuar, me Vllazninë që bën një vëllim më të madh loje dhe ndërton dhe shpërdoron raste për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës. Por, përtej pretendimeve, të pamarra në konsideratë, për 11-metërsh në favor të tyre, shkodranët kanë marrë një goditje pas një gjysmëore loje, teksa kartoni i verdhë i Aralicës në minutën e 31-të, shndërrohet, pas dy minutash konsultim të gjyqtarit kryesor Laver Alla me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), në të kuq dhe Vllaznia mbetet me 10 lojtarë.

Çerekora e mbetur do të karakterizohet nga nervozizmi në të dy palët dhe nga loja e varfër dhe për rrjedhojë, 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura. Ato të dytat do të vijojnë të jenë të luftuara, përtej pabarazisë së forcave në fushën e blertë dhe fillimisht është Teuta që gjen rrugën e rrjetës në minutën e 55-të, duke kaluar në epërsi falë finalizimit të zgjuar të Gjeorgievit. Por Vllaznia nuk do të jepet dhe, ndonëse e mbetur me 10 lojtarë, do të luftojë dhe do të arrijë, 15 minuta para fundit të kohës së rregullt, të barazojë shifrat, me një gol model pas një ndërthurjeje të bukur të Da Silvës dhe Latifit, me këtë të fundit që nuk e ka të vështirë të shënojë me portën e boshatisur.

Përtej përpjekjeve të të dyja skuadrave, çerekora e mbetur e kohës së rregullt dhe minutat shtesë nuk do të sjellin gola të tjerë dhe mbyllet kështu në barazim 1-1 kjo ndeshje, me të dyja skuadrat që ndajnë nga një pikë.