RTSH Sport Live

Teuta fiton të parën me Skënderbeun, vendos Hebaj

  • 27/01/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta fiton të parën me Skënderbeun, vendos Hebaj
Teuta triumfon 1-0 në Korçë, në ndeshjen e vajtjes për çerekfinalen e Kupës

Në habitatin e preferuar, Ujqërit e Skënderbeut mbetën të zhytur në dëborën që kishte veshur fushën me të bardhë, të mundur 0-1 nga Teuta, që mori maksimumin në një ndeshje që si u propozua duhet të ishte e vështirë për ta. Vendosi Hebaj në pjesën e dytë, por për të prekur gjysëmfinalet, gjithçka është e hapur pas dy javësh kur skuadrat të rivihen përballë. Mungesa e ujit në dushe e vonoi sfidën 35 minuta, edhe pse ndoshta për spektaklin do të kishte qenë më mirë të luhej në një tjetër datë.

Një pjesë e parë ku e ngrirë nuk ishte vetëm fusha por edhe muskujt e lojtarëve, që e patën të vështirë të shpreheshin, duke u limituar të japin vetëm imazhin e një inisistimi më të madh të Skënderbeut, përballë një Teute që ende nuk e ka vendosur si do të luajë, duke qenë se në kushte të tilla kundërsulmi nuk është i sigurtë se funksionon.

Një goditje e Frashërit larg portës, aspak impenjuese për Qirkon është e para në gjysëm ore lojë, ku asnjë nuk ndodh me kualitetet të penguara nga terreni e me mbrojtjet që në ktë rast ishin të favorizuara. Rasti më i mirë i pjesë së parë ishte në pozicion jashtë loje, edhe pse në të 38-ën, Lorenco Vila e Ruci e patën seriozisht, përpara se asistenti të evidentonte tre lojtarë të Teutës përtej linjës së mbrojtësit të fundit.

Për të marrë rezultatin duhej shumë më tepër sa kaq dhe durrësakët vendosin ta provojnë, duke shfrytëzuar edhe goditësit e mirë nga distanca që kanë në ekip. Daja në të 53’ dhe Aleksi 4 minuta më pas provuan të ndryshojnë ritmin e lojës, për ti dhënë ndonjë emocion edhe atyre që e ndiqnin nga tribuna. Skënderbeu nuk reagoi dhe i tregoi kundërshtarit se mund të shtyhej përpara pa rrezikuar.

Kaq i mjaftoi Teutës, që të fundoste goditjen në minutën e 61-të me blerjen e tyre të fundit Rubin Hebaj. Shkodrani, pas një gabimi të mbrojtjes korçare, vendosi ndeshjen duke u treguar i ftohte para porte. Skuadra e Memellit e ndjeu goditjen, pavarësisht lëvizjeve të teknikut e madje rrezikoi të kompromentonte rezultatin në të 73’ kur Acquah shënoi golin e dytë, por të anulluar për pozicion jashtë loje.

Skënderbeu del i mundur në një fushë ku ndoshta duhet të kishte bërë më mirë, por në kthim duhet tjetër gjë që për respektuar statusin e finalistit të vjetshëm. Për Teutën kaq mjafton, si akt i parë e pas ndryshimit të radhës në pankinë.