RTSH Sport Live

Teuta, Martini kërkon kujdes: Duhet të jemi 100% të mobilizuar

  • 21/07/2021
  • |
  • Futboll Vendi
Teuta, Martini kërkon kujdes: Duhet të jemi 100% të mobilizuar
Trajneri i Teutës, Edi Martini në konferencë për shtyp në prag të sfidës me Inter Escalades, të enjten në “Niko Dovana”, ora 19:00

Teuta bëhet gati për ndeshjen e parë në Ligën e Konferencës ku përballë do të ketë kampionët e Andorrës, Inter Escalades. Sfida do të luhet të enjten në “Niko Dovana”, ora 19:00. Trajneri i bregdetarëve, Edi Martini ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të kësaj sfide.

“Situata është mjaft e mire, normalisht që ndeshja e parë me Tiraspolin këtu, na vuri në dukje disa probleme që u munduam t’i riparojmë, në ndeshjen e dytë dhe gjatë javës këtu. Gjendja është e mirë, përveç Lorenzo Vilës që ka dëmtim, pjesa tjetër është ok dhe jemi në gjendje optimale”.

“E njohim, falë atyre dy ndeshjeve që kanë bërë në Shqipëri. I kemi parë. Megjithatë, ne duhet të merremi me lojën tonë,  të bëjmë atë që dimë më mirë të bëjmë, të mos merremi shumë më mënyrën e lojës së kundërshtarit, por të bëjmë mirë lojën tone, mënyrën e daljes në sulm apo përqendrimit maksimal që duhet të kemi në fushën e lojës. Shpresoj t’ia dalim”.

“Formacioni pothuajse 90% është i fiksuar, por he mund të ketë ndonjë ndryshim deri nesër. Vila na ka nxjerrë disa probleme me mungesën e tij. Megjithatë, edhe lojtarët e tjerë do mundohen të bëjnë më të mirën, edhe ata që mund të futen si zëvendësues. Shpresojmë ta rregullojmë, që të mos ndihet mungesa e tij”.

“Në letër kemi shanse shumë, por letra nuk është gjithçka. Pavarësisht cilësive tona dhe të kundërshtarit, duhet të jemi 100% të mobilizuar në fushë. Është një ndeshje e fortë, e luftuar, të gjithë dinë të mbrojnë dhe të kundërsulmojnë mirë. Shanset janë më tepër për ne, por shpirti i garës bën diferencën”.

“Do doja të mbyllnim llogaritë e kualifikimit që në ndeshjen e parë, por janë dy ndeshje për t’u luajtur. Të bëjmë sa më mirë ndeshjen e parë, por nuk duhet të mendojmë që mund t’ia dalim që në ndeshjen e parë, pasi këto ndeshje janë të vështira”.

 “Ne kemi treguar gjatë gjithë vitit profesionalizëm, pavarësisht së nuk kemi pasur mbështetje për shkak të Covid-it. Shpresoj që tifozët të jenë sa më të shumtë nesër, pasi realisht kemi nevojë për mbështetjen e tyre, dhe ishalla ua shpërblejmë”.