RTSH Sport Live

Tirana-Partizani, momenti i së vërtetës

  • 25/10/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Tirana-Partizani, momenti i së vërtetës
Derbi i kryeqytetit zbret në “Air Albania”, e hënë, ora 19:45

Të gjitha rrugët të çojnë në “Air Albania”. Ndonëse me një tifozëri të reduktuar në shkallët e stadiumit, derbi mes Tiranës dhe Partizanit mbetet gjithmonë i njëjtë, emocionues. Një javë zjarri, në përgatitjet për një sfidë të madhe, e tani është momenti që të flasin lojtarët në fushën e lojës, është momenti i së vërtetës.

Me Tiranën pritëse, me më shumë mbështetës nga shkallët e stadiumit, me një pozicion dukshëm më të mirë në klasifikim, por kur bëhet fjalë për një përballje me Partizanin, gjithçka harrohet, gjithçka bëhet e barabartë, me të tre rezultatet në lojë.

Bardheblutë vijnë në këtë sfidë me moralin në maksimum, falë dhe fitores 3-2 në javën e kaluar përballë kampionëve të Teutës si dhe vendit të parë në renditje. Trajneri Shehi ka në dispozicion të gjithë kontigjentin e mundshëm për ti bërë ballë një sfide të tillë.

Të kuqtë janë në kërkim të fitores së parë dhe kanë gjetur ndoshta kundërshtarin më të papërshtatshëm për të pretenduar një gjë të tillë. Sigurisht, që një fitore përballë Tiranës do i jepte më shumë stimul për të dalë nga situata e rezultateve jo(katër barazime dhe një humbje).

Është momenti i së vërtetës, mes dy skuadrave më të titulluara dhe me më shumë histori në futbollin tonë, “Air Albania” pret të japë verdiktin. Tirana kërkon të konfirmohet si kryesuese e kampionatit, ndërsa Partizani për të gjetur rrugën e duhur në këtë fillimsezoni.