Trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi, ka folur për mediat në prag të ndeshjes kundër Vllaznisë, që do të luhet nesër në “Elbasan Arena” në orën 16:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Tekniku i bardhebluve e thotë qartë që skuadra e tij kërkon fitoren që ti largohet zonës së ftohtë, ndonëse e pranon se Vllaznia po kalon momentin e saj më të mirë dhe thekson se shkodranët kanë pasur fat në përballjet me Tiranën.
“Luajmë ndaj një kundërshtari që ndoshta është në momentin më të mirë në kampionat. Është një klasike, shpresojmë dhe urojmë që të bëjmë një paraqitje të mirë për të qenë në nivelin e këtij dueli. Shpresoj shumë që kundërshtari të mos ketë fatin që ka pasur, në 3 përballje që kemi bërë me ata mendoj që kemi bërë lojëra të mira, por është një ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë dhe në fund duhen 3 pikët.
Morëm 3 pikë të rëndësishme që na kanë kthyer besimin për të bërë më mirë në vijim, jemi në një situatë të vështirë, ishte ndeshje pozitive me Laçin. Shpresoj shumë të kemi vazhdimësi për ndeshjet që kanë mbetur. Objektivi i qartë është të fitojmë ndeshjen, e rëndësishme është të largohemi nga vendi ku jemi”, ka thënë mes të tjerash Shkëmbi.