RTSH Sport Live

Tronditet Tirana, Patrick mbyll sezonin

  • 13/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Tronditet Tirana, Patrick mbyll sezonin
Rezonanca evidenton dëmtimin e rëndë, braziliani mendon operacionin në gju

Fitorja e rëndësishme kundër Laçit, që riktheu Tiranën në krye të renditjes është pasuar nga një lajm i keq për bardheblutë, që duhet të bëjnë pa brazilianin Patrick deri në fund të sezonit. Qendërsulmuesi i Tiranës pësoi një dëmtim në fundin e derbit të humbur me Partizanin, duke dalë i çalë nga Arena Kombëtare.

Menjëherë u kuptua se ishte një dëmtim i rëndë, por rezonanca magnetike konfirmoi frikën më të madhe të stafit mjekësor të Tiranës. Pickim i kruciatit të ligamentit të gjurit dhe sezon i përfunduar. Përpara Patrick tani janë dy alternative, të rrezikojë me fizioterapi, me shpresën se mund të ligament mund të riaftësohet, por që do të kërkojë më shumë se dy muaj, apo t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në gju.

Në këtë rast kohët e rikuperimit shtrihen në 6 muaj, kështu që praktikisht braziliani do të mund të jetë gati vetëm në fillimin e sezonit të ardhshëm, duke humbur me shumë mundësi edhe fazën përgatitore dhe ndeshjen europiane, ku me shumë mundësi Tirana do të prezantohet. Një goditje traumatike për Orges Shehin, që tani ka si qendërsulmues të rolit vetëm Nikqin, që do ta gjejë veten titullar në fazën më delikate të sezonit.

Abazaj në anën tjetër ka marrë pak minuta në ndeshjen kundër Laçit por është dukshëm jashtë mundësive për tu kthyer titullar. Shehi shpreson që lojtari të jetë gati për të tërhequr skuadrën pas pauzës për shkak të impenjimeve të kombëtares, deri atëherë minuta të përllogaritura, për të evituar ndonjë ridëmtim të tij.

Kampionët në fuqi dhe kryesuesit aktualë të kampionatit kanë tashmë repartin më të dobët ofensiv ndër pretendentët, me dy të rinj të thirrur në cështje për të mbajtur peshën e sulmit, ku për fat rolin e liderit po e bën anësori i majtë Hasani, që me dygolëshin ndaj Lacit u bë golëshënuesi më i mirë i kampionatit, në shoqërinë e ish-shokut të skuadrës Xhixha. E.S.