RTSH Sport Live

UEFA urdhëron Ukrainën: Modifikoni fanellat

  • 10/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
UEFA urdhëron Ukrainën: Modifikoni fanellat
I jepet të drejtë pretendimit të Rusisë, ndërsa politika duhet të jetë larg topkëmbës

UEFA, apo Federata Europiane e Futbollit, ka urdhëruar modifikimin e fanellave të Ukrainës, që është pjesëmarrëse e Kampionatit Europian, i cili starton më 11 qershor. Në këtë konteskt, Rusia fitoi çështjen e saj në prag të fillimit të Euro 2020. Rusia i pat bërë thirrje UEFA-s, e cila të enjten vendosi një modifikim të fanellës së Ukrainës, duke e konsideruar përfundimisht përmendjen e shprehjes “Lavdi heronjve tanë” si politike.

Një shprehje, e cila ishte denoncuar nga Rusia, sepse në simbolet e fanellës ukrainase ishte Krimea për të cilën të dy shtetet janë në konflikt të vazhdueshëm ushtarak. “Pas një analize më të thelluar, kjo parullë e kënduar gjatë kryengritjes popullore anti-ruse në Maidan më 2014 është qartësisht e një natyre politike dhe prandaj duhet të tërhiqet, kjo në funksion të konkurrencës së paqme që UEFA kërkon në ndeshjet e saj”, thuhet në njoftimin e Federatës Europiane të Futbollit, sepse parullat dhe mesazhet politike janë në të vërtetë të ndaluara nga organizmi europian i topkëmbës.

Rusia ka thënë se është e kënaqur që UEFA i ka dhënë pjesërisht të drejtë pretendimit të saj. “Bëhuni heronj sportivë dhe do të keni lavdinë. Kjo është e vërteta, sepse nuk luhet me parrulla nacionaliste. Kështu do të mund të nderoni mëmëdheun”, nënvizoi zëdhënësja e diplomacisë ruse, Maria Zakarova, ndërsa ka reaguar në “Telegram” ndaj vendimit të organizmit europian të futbollit.