RTSH Sport Live

Uellsi, grumbullimi më i pazakontë i Euro 2020

  • 11/06/2021
  • |
  • Futboll Bota
Uellsi, grumbullimi më i pazakontë i Euro 2020
Për të harruar izolimin, britanikët i jepen lojërave, muzikës e argëtimeve

Pesë vjet më parë Uellsi ishte surpriza e madhe e Europianit francez, duke arritur në gjysëmfinale. Tifozët e tyre plot kolorit e adrenalinnë ishin arma special, që këtë herë do të jenë më pak vendimtarë për shkak të kufizimeve për pandeminë. Edhe skuadra nuk po përjeton momentin më të lumtur. Dragonjtë po mundohen gjithësesi të rikrijojnë magjinë e 2016, duke nisur nga moto klasike që pati sukses në Francë: ajo “Together stronger” që nënvizon rëndësinë e grupit e që akomodohet në hotel Hilton, baza në Baku e skuadrës.

Edhe muret e dhomave të lojtarëve janë personalizuar me mesazhe nxitëse e motivuese për të mos i lënë asgjë rastësisë. Futbollistët uellsianë nuk janë vaksinuar kështu që qendrojnë në izolim. Rreziku i infektimit me Covid i detyrojnë të qendrojnë në distancë nga tifozët e kështu orët e grumbullimit bëhen të rënda. Grupit uellsian i janë rezervuar katër kate në hotel e një sallë e madhe lojërash ku lojtarët mund të kalojnë kohë duke u zbavitur e duke u sfiduar në PlayStation, por jo vetëm: janë matur forcat në sfida të forta në ping pong e me shigjetë.

Ka edhe një deejay zyrtarisht i ngarkuar për të mbajtur lart moralin e lojtarëve duke zgjedhur muzikën e duhur. Bëhet fjalë për Adam Davies, portieri i Stoke City, që kur ishte te Sheffield Wednesday kishte filluar të zbavitej me mixer, duke përmirësuar kualitetet e tij. E për ta kthyer argëtimin në maksimum, me lojtarët është edhe ‘prestigjatori’ Tom Lockyer: mbrojtësi i Luton Town që shëtit dhomë më dhomë me letra në duar duke befasuar shokët me një seri trukesh.

Duhet parë natyrisht si do të shkojë në Europian Uellsi, që nis me ndeshjen kundër Zvicrës e do të vazhdojë me sfidat kundër Turqisë e Italisë, por atmosfera në grumbullimin e Dragonjve është shumë e bukur.