RTSH Sport Live

Vllaznia, Blendi Dibra: Brenda janarit zgjidhim edhe liçensimin...

  • 10/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Blendi Dibra: Brenda janarit zgjidhim edhe liçensimin...
"Rezultatet po na gëzojnë, por jemi të ndërgjegjshëm se duhet akoma shumë punë për tu bërë, sidomos në raport me infrastrukturën. Po punohet në kushte mjaft të vështira"

Një nga njerëzit që po qëndron pranë Vllaznisë, pjesë e grupit të menaxhimit, është dhe Blendi Dibra, i cili ka dhënë mendimin e tij për kuqeblutë në emisionin Rubrika Sportive në RTSH.

“Ne i kemi dhënë besim stafit tonë teknik, duke qënë si pjesë e grupit të menaxhimit. Detyra jonë ishte që të zgjidhnim këtë grup teknik: Drejtorin Teknik, trajnerin Brdaric, asistentët e tij. Gjithçka është zgjedhje e tyre, asnjëherë nuk e kanë shkëputur marëdhënien me skuadrën. Kushtet ishin të njëjta, si për ne ashtu dhe për skuadrat e tjera. Besoj që ritmi është ruajtur, fitorja na nderon, por duhet të vazhdojmë përpara. Çdo ndeshje është një sfidë më vete".

“Nuk ka eufori, të gjithë janë të matur, por ne që shikojmë rezultatet mbase e kalojmë masën ndonjëherë, flasim me superlativa, por të gjithë drejtuesit dhe lojtarët janë shumë të matur, i marrin ndeshjet një nga një. Në fund do të jenë rezultatet që do të vendosin, jo parashikimet tona”.

"Distanca e krijuar patjetër që është e rëndësishme, sepse të jep komoditet, të jep një qetësi psikologjike, por ndeshje ka shumë dhe kundërshtari kryesor jemi ne. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm dhe me këtë frymë".

"Stafi po punon për merkaton, besoj se javës tjetër do të ketë edhe emra. Tani nuk mund të them emra, por dua të theksoj se do të mendohet, ose thënë ndryshe do të rrezikojmë me prurjet e akademisë. Synimi do të jetë që të fitojmë lojtarë nga akademia. Rezultatet po na gëzojnë, por jemi të ndërgjegjshëm se duhet akoma shumë punë për tu bërë, sidomos në raport me infrastrukturën. Po punohet në kushte mjaft të vështira. Është një sfidë në kushte të tilla që deri tani ia kemi dalë mbanë”.

“Unë, Administrator i Vllaznisë? Vllaznia është një pasion si për çdo shkodran tjetër, jemi rritur me këtë ndjenjë. Unë jam pjesë e drejtimit, brenda është dhe pasioni e dëshira. Po punojmë ditë e natë, kemi lënë çdo gjë tjetër, i jemi dedikuar plotësisht dhe ndoshta na e ka shpërblyer me rezultate. Nuk ka rëndësi ajo pjesë(Administrator i Vllaznisë). Sfida kryesore është procesi i privatizimit. Të vazhdojmë më tej, ajo që kemi bërë deri tani të ketë vazhdimësi”.

"Me aq sa kemi informacion nga Bashkia ka dhe disa kritere shtesë edhe nga FSHF, brenda janarit do të nisë dhe procesi për kandidaturat. Licensimi? Po punohet dhe në këtë drejtim, besoj që jemi drejt një zgjidhje".