RTSH Sport Live

Vllaznia humbet mesfushën

  • 17/06/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia humbet mesfushën
Marku dhe Imeri largohen nga shkodranët, Brdariç me “dhimbje koke”

Vllaznia humbet lojtarë të rëndësishëm vetëm pak ditë pas rikonfirmimit të Tomas Brdaric në stol. Nënkampionëty e vendit po tkurren në organikë edhe pse në fillim të muajit korrik duhet të bëjnë llogaritë me një kundërshtar asak komod si Shiroki Brijeg. Klubi shkodran bën me dije se mbrojtësi Aleksandar Isaevski dhe mesfushori Herald Marku nuk do të jenë më pjesë e skuadrës gjatë sezonit të ardhshëm.

Largimin e Markut nga Vllaznia dhe firmën e tij me Partizanin e konfirmoi pak orë më parë në emisionin “Euro Magjia” edhe drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama. Një tjetër mesfushor që largohet nga Vllaznia është edhe Demir Imeri. Vetëm një vit pasi u bashkua me shkodranët, lojtari i lindur në Maqedoninë e Veriut nuk do ta vazhdojë karrierën në qytetin verior.

I kontaktuar nga RTSH Sport ai thekson se momentalisht është pa kontratë dhe është në bisedime me Teutën por për momentin palët qëndrojnë shumë larg në raportin kërkesë–ofertë. Me largimin e Imerit dhe Markut Vllaznia humbet fantazi dhe forcë në mesfushë, një nga repartet më të forta të skuadrës shkodrane gjatë sezonit të fundit ku fitoi Kupën e Shqipërisë dhe pas 1 dekade u rikthye në garat europiane.

Në seancat stërvitore që po zhvillohen që prej 3 ditësh, trajneri Brdaric po punon me një numër të reduktuar lojtarësh ndërsa dy afrimet e vetme deri në këto moment janë malazezi Bulatoviç e shkodrani Shimaj.