RTSH Sport Live

Vllaznia, midis “firove” dhe afrimeve

  • 20/06/2022
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, midis “firove” dhe afrimeve
Mevlan Adili konfirmon largimin, deri më tani, vetëm 3 përforcime të konfirmuara

Merkatoja e verës tanimë ka nisur me ngarkesë të plotë dhe ajo vërehet sidomos tek skuadrat që do të marrin pjesë në turet eliminatore të Kupave të Evropës. Një nga këto skuadra është edhe Vllaznia, e cila ka luksin sidoqoftë e më tepër kohe në dispozicion, pasi, si fituese e Kupës së Shqipërisë, ka privilegjin e nisjes së pjesëmarrjes së saj në Ligën e Konferencës nga turi i dytë. Aty skuadra shkodrane do të përballet me rumunët e Universitateas së Krajovës dhe, sikundër e pati pohuar në ditën e parë të stërvitjes, trajnerin Mirel Josa e shqetëson ende konsolidimi i grupit.

Të hënën pasdite kuqeblutë kanë humbur një tjetër titullar të padiskutueshëm të këtyre dy sezoneve të fundi, pasi Mevlan Adili ka bërë të ditur largimin nga Shkodra. Ka qenë vetë 28-vjeçari që e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetet sociale. Futbollisti nga Shkupi ishte prej kohësh në një mëdyshje se çfarë do të bënte me të ardhmen, nëse do të rinovonte me Vllazninë ose do të largohej. Kështu ai ikën nga klubi shkodran pas një aventure prej 2 vitesh e gjysmë, i cili shprehet i lumtur se i ka shërbyer këtij qyteti.

“Një gjë kam kuptuar, që të luash për Vllazninë është përgjegjësi e madhe, kurse të fitosh trofe me Vllazninë është sikur të lindësh për së dyti, - shkruan ndër të tjera futbollisti shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që më tej, shton: “Dëshmoj se për këtë klub dhe për këto ngjyra gjithmonë kam dhënë maksimumin e, ndonjëherë, edhe me shumë”. Vllaznia ka konfirmuar deri më tani afrimin e 3 lojtarëve, pikërisht mesfushorit kosovar, Lorik Boshnjaku, qendërmbrojtësit të rikthyer Dajan Shehi dhe sulmuesit të rikthyer nga huazimi, Kaina Nunjesh.

Ndërkaq, Josa kërkon me patjetër një lojtar të profilit të Viktor da Silvës, i cili është larguar, ndërsa ditët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i kapitenit të Dinamos, Agim Ibraimi, i cili ka prishur kontratën me blutë. Sidoqoftë, nëse futbollisti i Deçiçit, Kristjan Vulaj, firmos me Vllazninë, atëherë do të hiqet dorë nga Ibraimi, që sidoqoftë nuk ka marrë ende një ofertë zyrtare nga klubi.