RTSH Sport Live

Vllaznia, në Laç luhet më shumë se “Europa”

  • 18/03/2023
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, në Laç luhet më shumë se “Europa”
Mirel Josa mban të dënuar Latifin, ndërsa mungesa e vetme është Alivoda

Gjashtë pikë larg kreut e në shtëpinë e një skuadre në krizë. Vllaznia udhëton drejt Laçit me pikëpyetje, probleme të vetat, por edhe objektiva të rëndësishme. Në fakt, në sfidën kundër bardhezinjve tekniku Mirel Josa e di se nuk do të jetë fare një ndeshje e lehtë. Jo vetëm se skuadrat kanë pak pikë që i ndajnë, por edhe sepse momenti i vështirësisë do ta bëjë Laçin edhe më agresiv në kërkim të pikëve.

“Kemi një ndeshje të vështirë me një rival, i cili nuk ka qenë në momente të mirë gjatë kësaj periudhe. Me këtë nuk dua të them se janë jashtë objektivave ashtu siç dua të nënvizoj se dhe ne kemi objektiva për të arritur”, nisi konferencën për shtyp trajneri Mirel Josa.

Josa e ka të qartë mënyrën e lojë, por jo lojtarët që do të zgjedhë për ta interpretuar atë. Kuqeblutë nuk kanë problem formacioni me një përjashtim. Rejan Alivoda është i dëmtuar në trinë dhe nuk është gati për ndeshjen. Lojtari ishte prezent në konferencën për shtyp, duke treguar gjendjen e tij fizike.

“Formacionin  ende nuk e kam vendosur, kam ende disa orë për të parë gjendjen e lojtarëve, të cilët nuk kanë patur shumë kohë në dispozicion që të rikuperojnë forcat nga dueli i Kupës. Jam koshient se lojtarët kanë kaluar një muaj të vështirë sa i përket stresit fizik”, theksoi trajneri i Vllaznisë.

Më pas fjalën e mori edhe Rejan Alivoda, i cili tha: “Kam pësuar një dëmtim në pjesën e trinës të këmbës në duelin me Partizanin. Shpresoj që të rikuperohem shpejt dhe të jem gati për ekipin sa më parë të jetë e mundur”. 

Një ndeshje që mund të rihapë skenarë të rinj, e kombinuar me një ndalesë të mundshme të Tiranës në Ballsh. Josa e shmang si artikulim, por lë të kuptojë se një fitore në Laç e rikthen fort Vllazninë në garën për titull.

“Gjithmonë duhet të shikojmë për Europën dhe vetëm nëse kalojmë këtë takim me fitore atëherë mund të flasim edhe për objektivë të tjerë. Gjithsesi them se duhet të qëndrojmë të fokusuar në ndeshjen e radhës dhe ti marrim takimet një e nga një”, tha Josa.

Tekniku ka folur edhe për çështjen Latifi, për të cilin ende nuk është marrë një vendim. Kjo do të thotë se për të tretën ndeshje radhazi sulmuesi nuk do të jetë në fushë për kuqeblutë. Latifi refuzoi të futej në fushë në fund të ndeshjes me Teutën dhe për këtë është penalizuar nga klubi dhe trajneri.