RTSH Sport Live

Vllaznia, sa mund për të kaluar Flamurtarin!

  • 10/02/2022
  • |
  • Futboll Vendi
Vllaznia, sa mund për të kaluar Flamurtarin!
Shkodranët fitojnë edhe të dytë dhe kualifikohen për në gjysmëfinale të Kupës

Vllaznia dhe Flamurtari kanë ardhur në ndeshjet e kthimit të çiftit të tyre të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, pasi ndeshja e parë, e luajtur para dy javësh në Vlorë, ishte fituar nga shkodranët me shifrat 2-1. Por takimi i kthimit, i luajtur të enjten pasdreke në Stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës ka parë shkodranët të bëjnë një vëllim më të madh loje, por vlonjatet kanë qenë më të rrezikshëm në aksionet e tyre dhe, në minutën e 7-të, Ribaj u gjend përballë portierit, por goditja e tij rroku shtyllën dhe u kthye në lojë.

Do të duhet të kalojnë 20 minuta lojë që Vllaznia të krijojë një rast për shënim, kur Arsid Kruja godet, por gjuajta e tij u devijua për në goditje këndi. 8 minuta më pas vjen një tjetër rast i shpërdoruar nga miqtë me Andi Ribajn, që provon brenda zonës, por pa rezultat. Dhe këmbëngulja e Flamurtarit do të finalizohet në minutën e 44-të, kur, pasi një aksion të bukur, Indio Oliveira i kalon vlonjatet në epërsi.

Por festa e miqve shuhet shpejt, sepse, pas konsultimit me dhomën e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR), kryesorja Emanuela Rusta e anulon golin për pozicion jashtëloje dhe gjithçka mbyllet kështu me rrjeta të paprekura në 45 minutat e para. Ato të dytat nisin me një zëvendësim të dyfishtë për Vllazninë, teksa largohet Gjurgjeviç dhe Heriç, futen në fushën e lojës Da Silva dhe Çoba.

Dhe është ky i fundit që ka, në minutën e 62-të, rastin më të mirë për shkodranët, por goditja e tij në kufijtë e zonës devijohet në shtyllë nga portieri vlonjat, Moçka, që shmang kështu golin. Por 9 minuta më pas, gardiani i portës mike nuk e largon topin siç duhet nga një goditje këndi dhe Mustedanagiç përfiton duke goditur me kokë dhe duke shënuar golin e parë të Vllaznisë në këtë takim dhe të 6-tin e tij në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

20 minutat e fundit do të karakterizohen nga ndërrimet e shpeshta, por edhe kartonët e verdhë, teksa lodhja bën të sajën. Përtej 4 minutave shtesë dhe një pretendimi të shkodranëve për 11-metërsh, të hedhur poshtë nga gjyqtarja Rusta, Vllaznia e mbron fitoren minimale ndaj Flamurtarit dhe siguron vendin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.