RTSH Sport Live

Vllaznia, Uliks Kotrri: Disiplina dhe mentaliteti i Brdaric ka funksionuar

  • 11/01/2021
  • |
  • Abissnet Superiore
Vllaznia, Uliks Kotrri: Disiplina dhe mentaliteti i Brdaric ka funksionuar
Ish-futbollisti i Vllaznisë ka dhënë një opinion për ecurinë e kuqebluve në këtë edicion të Kategorisë Superiore

Ish futbollisti i njohur i Vllaznisë së Shkodrës, Uliks Kotrri në një prononcim për emisionin Rubrika Sportive në Radio Tirana, ka dhënë opinionin e tij në lidhje me ecurinë e kuqebluve në këtë edicion, që vazhdojnë të udhëheqin kampionatin.

“Jemi të gjithë në delir për këto arritje. Jemi të gjithë të lumtur për faktin që Vllaznia ka ekip. Me aq sa kam pa, për çdo ndeshje kuqeblutë po tregojnë një pjekuri dhe kjo është ajo që më ngroh te kjo skuadër”.

“Në javët e para mund të konsiderohej një surprizë, por javë pas jave po tregon se është një ekip i pjekur dhe po kryeson me merit kampionatin. Merkato? Ndoshta mund të ketë nevojë për ndërhyrje në repartin e sulmit, pasi ka patur dhe largime. Po ashtu dhe Hoxha mund të largohet drejt Turqisë. Ndërsa pjesa tjetër mendoj se nuk ka nevojë, performance e deritanishme nuk lë vend për ndonjë përmirësim të madh”.

“Vllaznia duhet të vazhdojë me këtë ritëm, pasi dihet që suksesi në futboll është javor edhe  për të mbajt një sukses është një punë shumë më e madhe se sa me e arrit atë. Ka mbërritur deri këtu, por e prêt një punë tepër e madhe për të mbajtur këtë ritëm që kanë treguar deri tani”.

“Brdaric? E kam sjellë unë te Vllaznia, njihemi prej shumë kohësh. Mu duke një zgjedhje tepër e gjetur, për situatën në të cilën ndodhej Vllaznia. Është një emër shumë i madh i futbollit gjerman, pasi ka veshur dhe fanellën e përfaqësueses gjermane, diçka jo e vogël. Ka një mentalitet kroat, ballkanas. Mendoj se ia ka arrit qëllimit, që të ndryshonte diçka te kjo skuadër, në situatën që ndodhej prej dhjetë vitesh”.

“Disiplina dhe mentaliteti i Brdaric ka funksionuar perfekt te kuqeblutë. Ai është dhe një mik me të gjithë. Nga njëra anë duke i ledhatu dhe nga ana tjetër edhe duke i goditur, nëse mund të themi kështu”.

“Duke ditur kushtet, jo vetëm te Vllaznia, por dhe te skuadrat e tjera shqiptare, infrastrukturën e dobët, vonesat e rrogave e problem të tjera, kur shohin se Brdaric nuk ankohet, të tjerët mbyllin gojën. Pa harruar se ka injektuar dëshirën për të luajtur futboll".